Page 10 - Deri në frymën e fundit
P. 10
8 Deri në frymën e fundit
Pasioni i saj, ashtu si barku, ishte rritur derisa e kishte humbur
krejt butësinë. Ajo i kundronte të dy sikur t’i përkisnin një tjetre:
malin me hënë përmbi ijët e saj dhe humnerën e atij pasioni
fatkeq, kaq e thellë, sa ende nuk ia kishte parë fundin. “Mblidhe
veten, – i thoshte vetes. – Mblidhe veten, mblidhe veten... mos
mendo për të”. Por, sa herë përpiqej të mos e bënte këtë, i ndodhte
e kundërta.
Dashuria të kap si ethet apo si falimentimi... jo, jo, ethe
ishin ato që ia kishin mbërthyer trupin, sado që përpiqej ta
freskonte. Dashuria nuk njeh ligje, shkon mes të dashuruarve
si t’i teket. Ajo e urrente. E dashuronte. E dashuronte kaq
shumë, sa e urrente. Vetëm sepse ai ekzistonte. Dhe, sikur të
mos mjaftonte kjo, e kishte kaq afër, sa, net-net, e zinte frika
se do të çmendej, në qoftë se ende nuk ishte çmendur. Në fakt,
nuk ishte e sigurt.
Atë verë, veranda iu bë shtëpi, në pjesën tjetër të banesës ishte
tmerrësisht vapë. Ta kaloje natën brenda ishte e pamundur, për
më tepër tashti, që çatia prej eterniti ishte nginjur me diell dhe
e shndërronte katin e dytë në një saunë pa avull. Muret e gurit
kishin thithur nxehtësinë e gjithë verës. As frymë nuk merrje dot
aty brenda, ndaj Davidi kishte shtruar një dyshek për të dy në
qoshen e verandës, ku nuk binte dielli në mëngjes. Netëve, flinin
shtrënguar mbas njëri-tjetrit duke dëgjuar nga larg zhurmën e
atyre pak makinave që kalonin në autostradë; këngën e bretkosave
zëholla në moçalin e përtharë mbrapa shtëpisë; trenin e mallrave
që kalonte hera-herës andejpari, si dhe një fajkua të vetmuar mbi
fushë. Edhe në ëndrra bënte çmos të mos mendonte për të. Nuk
ia dilte dot; as kur Davidi e shtrëngonte fort në krahët e tij. As
kur rrekej të përmbante veten tek zbriste për të marrë shishet e
limonadës në bodrumin me tavanin e ulët plot me lakuriqë nate,
të cilët i kishte frikë për vdekje. Kjo ishte më e vështira, vullneti
nuk i mjaftonte për t’i bërë ballë mendimit për të.