Page 12 - Deri në frymën e fundit
P. 12
10 Deri në frymën e fundit
Vapa, uria, mërzia, padurimi, mizat, gjithçka që më parë e
acaronte, tashti nuk i bënte më përshtypje. As për lindjen nuk
shqetësohej, ngaqë nuk e kishte provuar kurrë më parë. Është
diçka natyrale, mendonte. Kafshët e bëjnë për hiçmosgjë, dhe ajo
ishte ndier gjithmonë si një kafshë, si një dhelpër, e zhdërvjellët
dhe e sigurt. Ato veç lindin dhe, mandej, dalin sërish për gjah.
Kështu e përfytyronte edhe veten. Kur t’i vinte çasti, nëse do të
kishte kohë, nëse ngjarjet nuk do të rridhnin nxitimthi, kishte
vendosur të përfytyronte dhelprën, që pjell e vetme në errësirën e
folesë së vet të freskët.
Një pjesë të madhe të kohës e kalonte duke u përpjekur të
mos e çonte mendjen te cigaret. Sidomos jo te Silk Cut-i, me
atë duhan ngjyrëçelët e me aromë të lehtë proshute. Po të mos
peshonte treqind kilogramë dhe të mos i kishte këmbët si pemë
rizofori, do të kishte qëndruar buzë autostradës në çdo orë të
ditës, do të kishte ndalur një makinë që ta çonte te porti, do
të merrte tragetin për të kaluar ngushticën, do të blinte një
paketë dhe mandej do të kthehej në shtëpi. E pse qenka kaq
e rrezikshme? Me sa dinte ajo, gratë shtatzëna kishin tymosur
në çdo kohë. Përse tashti na qenkësh më e rrezikshme se dikur?
Doemos, sepse një dhjetëvjeçar po mbaronte dhe po fillonte
një tjetër; në ajër ndihej një mobilizim shpresëdhënës. A ishte
moralizues? Sidoqoftë, nuk kishte fijen e dëshirës të bëhej pjesë
e tyre, mjaft ta linin të qetë, me cigaret dhe zakonet e saj të
përhershme. Fundja, kur ta ndalojnë diçka, nuk të hiqet nga
mendja.
Ditët u bënë gjithnjë e më të nxehta e të thata derisa, më në
fund, ndryshuan dhe nisën të merrnin nga pak hijen e vjeshtës.
“Vjeshtë do të thotë vjelje, së shpejti do të vijë”, mendonte ajo.
Sa më gjatë të varet kajsia në pemë, aq më lehtë këputet. Bjërni,
babai i babait të ardhshëm, kishte tri pemë kajsie të rreshtuara në
atë krah të shtëpisë që e kapte dielli, dhe pikërisht në këtë vakt