Page 11 - Deri në frymën e fundit
P. 11
Anne Swärd 9
Netëve, prania e Davidit e qetësonte; krahu i tij rreth saj e
mbante që të mos ngrihej peshë në një kozmos të zi e të ftohtë,
me barkun si një tullumbace të fryrë me helium. Ndërsa ditën,
donte të rrinte vetëm e larg të tjerëve, madje të mos e trazonin
fare. E përzinte atë dhe të vëllezërit kur i viheshin mbrapa si qen.
Nuk kishte më nevojë për ta, nuk i duronte më ato vështrime të
babëzitura, kureshtinë e tyre. A thua mendonin se ajo mbartte
ndonjë sekret, kur të gjithë e dinin se çfarë do të vinte: një kajsi,
king size. Po fryhej jashtëzakonisht shumë.
Kaluan ditë dhe javë nga data kur pritej të lindte. Fryti i arrirë
po piqej së tepërmi. Kërthiza, që në fillim dukej si një syth i
zbehtë, tashti ishte çelur si një trëndafil cipëhollë dhe ngjyrosur
krejt në bojëkafe. Këmbët, që nuk i shihte më, i qenë ënjtur dhe
nga brendësia e kofshëve shtriheshin degëzime venash të fryra.
Bjërni, gjyshi i ardhshëm nga babai, i solli krem Tiger që të
lyente nyjat e ënjtura të këmbëve, por ajo nuk i mbërrinte dot;
largësitë dhe përmasat ishin zmadhuar të gjitha, ndaj ai ia leu vetë.
Ajo pranoi, ishte shenjë përkujdesjeje ndaj saj. Vetja i dukej si Farah
Diba në fronin e saj të palloit, edhe pse këmbët, mbas verës së
kaluar zbathur, nuk i kundërmonin qumësht virgjëreshe, por ishin
të zeza dhe të plasaritura. Iduna, gjyshja e ardhshme nga babai,
kishte porositur për të sutjena të forta, nga modelet më të reja të
markës Swegmark. Vajza vetë nuk e kishte vrarë mendjen kurrë për
sutjena, por gjyshja e ardhshme i tregoi se kishte ardhur koha për
t’i mbajtur. Nuk po i rritej vetëm barku, a nuk e kishte vënë re?
– A do t’i kesh edhe më vonë kështu? – e kishte pyetur Davidi
me sytë tek ajo bukuri e re dhe krejtësisht e ndryshme.
– Shpresoj me të vërtetë që jo, – i qe përgjigjur ajo, sepse nuk
kishte aspak dëshirë ta kalonte jetën me peshën e tyre, krejt e
kënaqur me madhësinë normale që kishin pasur më parë.
Edhe pse e rënduar, e kishte shijuar atë verë të gjatë mbytëse,
e pushtuar nga një ndjenjë e veçantë epërsie ndaj çikërrimave.