Page 17 - Saga e familjes Maia
P. 17
José Maria Eça de Queirós 15
Atje u vendosën në një shtëpi të madhe luksoze, në periferi të
Londrës, pranë Riçmondit, në fund të një parku, mes peizazhit të
butë e të qetë të Surreit.
Pasuria e tij, falë garancive që dha konti De Runa, mik i vjetër
i Dona Karlota Zhoakinës, tashmë këshilltar i afërt i Don Migelit,
nuk u konfiskua, kështu që Afonso da Maia i kishte mundësitë të
jetonte si të donte. Në fillim, emigrantët liberalë si Palmella dhe
disa të tjerë nga La Korunja, e vizitonin për t’i bërë shoqëri dhe
hanin e pinin bashkë. Mirëpo, nuk kaloi shumë dhe shpirti i tij
fisnik u revoltua përballë ndarjes së shoqërisë në kasta e hierarki, të
cilat atje, në dhe të huaj, e vunë midis të mundurve të ideve të tij;
aristokratët apo të kamurit rronin në luks dhe populli i thjeshtë,
i zhytur në skamje, sidomos pas ndryshimeve të dhimbshme të
Galicisë, vuante nga uria dhe ethet në barakat e Plimuthit. Shpejt,
hyri në konflikt me krerët e liberalëve dhe u akuzua si demagog
e hakmarrës, çka e largoi dukshëm nga liberalizmi. Në këto
kushte, u izolua, megjithatë nuk e shtrëngoi dorën në shpenzime
e bamirësi me nga pesëdhjetë apo njëqind monedha. Vetëm kur
u nis ekspedita e parë dhe numri i emigrantëve u ul, Afonsoja
mori frymë i çliruar dhe, sikurse thoshte vetë, po i bënte mirë ajri
i Anglisë.
Pas disa muajsh, e ëma, që kishte qëndruar në Benfika, vdiq
nga një hemorragji e brendshme dhe teto Fani erdhi në Riçmond,
si për të plotësuar lumturinë e Afonsos me gjykimin e saj të
kthjellët, kaçurrelat e bardha dhe me sjelljet e matura si të një
Minerve. Dukej sikur ishte përmbushur ëndrra e tij për të jetuar
në rezidencën luksoze angleze, mes pemëve shekullore e fushave të
gjelbëruara ku kullotnin me bollëk bagëtitë, duke ndier se përreth
tij gjithçka ishte e fuqishme, e shëndetshme, e lirë dhe solide, siç
ia donte zemra.
Zuri miq, studioi letërsinë e pasur dhe të fisshme angleze,
u interesua, siç i takonte një aristokrati në Angli, për kulturën,
rritjen e kuajve, ushtrimin e bamirësisë, teksa i kënaqur sa më
s’ka, mendonte të qëndronte përgjithmonë në atë botë të paqtë e
me rregulla.
Vetëm se Afonsoja e ndiente që e shoqja nuk ishte e lumtur.
Rrinte mendueshëm, e trishtuar, kollitej shpesh tek ecte nëpër
sallone dhe, mbrëmjeve, qëndronte pranë vatrës e heshtur...