Page 13 - Saga e familjes Maia
P. 13
José Maria Eça de Queirós 11
mëngjesit”, duke u zhytur në ujë të ftohtë. Përherë kish pasur një
lloj dashurie supersticioze për ujin dhe thoshte se nuk ka asgjë më
të mirë për njeriun sesa shija e ujit, zhurma dhe pamja e tij. Ja përse
ishte aq i lidhur me Santa Olavian: atje kishte disa basene me ujë
të rrjedhshëm, i cili vinte nga burimet dhe zbriste aty, duke shtyrë
ujin e ndenjur që përdorej për vaditje. Kjo mënyrë e tonifikimit
të trupit ishte, sipas tij, një zakon i vjetër, shekullor, që e kishte
mbajtur larg sëmundjeve e dhimbjeve, madje kështu ruante edhe
një traditë familjare, atë të forcës e qëndresës përballë halleve dhe
moshës, ashtu si lisat e Santa Olavias kundrejt stuhive.
Afonsoja vinte pak i shkurtër, por trupngjeshur, me shpatulla
të gjera e fytyrë të pashme, ku i spikaste hunda si shqiponjë.
Lëkurën e kishte gati në të kuqe, flokët të bardhë, të shkallëzuar
dhe mjekrën të mprehtë e të gjatë. Me këtë pamje, siç thoshte
Karlosi, ai dukej si një baron i kohëve heroike, si Don Duarte
de Menezesi apo si Afonso de Albkërk. Tek dëgjonte këto fjalë,
plaku buzëqeshte dhe, si me shaka, i kujtonte të nipit se paraqitja
e jashtme të gënjen.
Jo, jo, ai nuk ishte as Menezesi dhe as Albkërku, por një plakush
i urtë, që i donte shumë librat e tij, rehatinë e poltronës së vet dhe
një gotë pranë zjarrit. Hera-herës, edhe vetë thoshte se ishte veç
një egoist, por kurrë më parë se në këtë moshë, nuk kishte qenë
kaq shpirtmadh e zemërgjerë. Një pjesë e mirë e të ardhurave i
shpëtonte lehtë nga duart për t’i shpërndarë për bamirësi. I donte
gjithnjë e më shumë të varfrit e të pamundurit. Kur ishte në
Santa Olavia, fëmijët rendnin pas tij për të marrë ledhatimin dhe
dashurinë që u falte. Për të, çdo gjallesë meritonte dashuri, sepse
ishte nga ata që nuk vriste dot as një mizë, madje prekej kur shihte
një pemë të thahej për ujë.
Villasa thoshte gjithmonë se ai të kujtonte historitë që rrëfenin
për patriarkët, sidomos kur afrohej pranë oxhakut dhe ulej mbi
fronin e kadifenjtë, tashmë të vjetruar paksa, gjithnjë i qetë,
buzagaz e me librin në dorë, ndërsa maçoku plak i rrinte te këmbët.
Ishte një maçok i madh, me lesh angora, i bardhë e me ca njolla të
kuqërreme i cili, qëkur ngordhi Tobiasi, një qen i mrekullueshëm
i racës San Bernardo, qe bërë shoku besnik i Afonsos. Kish lindur
në Santa Olavia dhe i patën vënë emrin Bonifacio, por si u rrit
ca dhe i erdhi koha për të gjuajtur lart e poshtë, i shtuan titullin