Page 15 - Saga e familjes Maia
P. 15
José Maria Eça de Queirós 13
Lotët e së shoqes e zbutën disi, madje edhe fjalët e kunatës
së saj, e cila asokohe jetonte me ta në Benfika. Kjo Minervë, një
grua e gjatë dhe e ditur irlandeze, autoritare dhe e respektuar, i
pati mësuar anglishten djalit dhe e adhuronte si ta kishte të vetin.
Kaitano da Maia e pa të arsyeshme atëherë ta dërgonte të birin të
jetonte në pronën tjetër, në fermën e Santa Olavias, ama më pas
nuk i reshtnin lotët para priftërinjve që vinin në Benfika për ta
ngushëlluar për hallin që i kishte rënë. Ata të shkretët i thoshin
se Zoti, zoti i vjetër i Orikut nuk do të lejonte kurrë që një Maia
të pajtohej me Belzebunë, apo me Revolucionin! Në mos qoftë
Ati ynë, do të jetë Zonja e Dhimbjes, shenjtorja e shtëpisë dhe
mbrojtësja e djalit që do ta bënte mrekullinë!
Dhe mrekullia ndodhi. Disa muaj më vonë, ai jakobini apo
Marati u kthye disi i detyruar nga Santa Olavia, i mërzitur për vdekje
prej vetmisë në atë vend të largët, ku pirja e çajit me komandantin
Sena mund të krahasohej, për trishtim dhe dëshpërim, vetëm
me recitimin e rruzares me kushërirat, zonjushat Kunjas. Kishte
ardhur për t’i marrë bekimin të atit dhe disa mijëra kruzado, që të
nisej drejt Anglisë, në atë vend të hipodromeve dhe flokëverdhave,
për të cilat i pati folur aq shumë teto Fani. Ashtu në lot, i ati e
puthi, madje u dorëzua i tëri dhe këtu u duk edhe mrekullia e
shenjtores së familjes. Edhe At’ Zheronimo, prifti ku rrëfehej, e
quajti këtë akt jo më pak se Rimishërimi.
E kështu, Afonsoja u nis për rrugë. Ishte pranverë dhe Anglia, e
gjelbëruar e tëra, me parqet madhështore dhe rehatinë e bollshme,
me harmoninë e zakonshme që vinte nga zakone fisnike të një
race aq serioze e të fuqishme, e mahniti djaloshin. Shumë shpejt e
harroi urrejtjen për njerëzit e fesë, harroi orët e gjata në kafenenë
e preferuar ku recitonte Mirabonë, si edhe Republikën që kishte
shpresuar ta gjente në vargjet klasike volteriane, në një triumvirat
të Shipios dhe nderimit ndaj Zotit. Ditët e para të prillit shkoi në
garat e Epsomit me një karrocë postare, duke thirrur gëzueshëm
e qetë, tashmë indiferent ndaj vëllazërisë masonike, që në atë orë
duhet të ishte duke kryer ritet e veta në Bairro Alto, në Lisbonë.
Vdekja e papritur e të atit e detyroi djaloshin të kthehej në
Lisbonë. Pikërisht në ato rrethana u njoh me Dona Maria Eduarda
Runan, vajzën e kontit De Runa, një brune e bukur, lozonjare, pak
e brishte nga shëndeti, me të cilën u martua fill pas ditëve të zisë.