Page 16 - Saga e familjes Maia
P. 16
14 Saga e familjes Maia
Nga kjo martesë lindi një djalë, por ai dëshironte të tjerë fëmijë;
shpejt, mori pozicionin e patriarkut të familjes dhe filloi punimet
për restaurimin e vilës së tyre në Benfika, ku mbolli shumë pemë,
e gatiti streha e kopshte për trashëgimtarët e dashur, që do t’i
sillnin gëzime në pleqëri.
Sidoqoftë, Anglinë nuk e harroi. Kujtimin për të ia bënte
më joshës ajo Lisbonë migeliste dhe e rrëmujshme, e cila i
shëmbëllente me Tunizinë berbere, një përzierje e fortë apostolike
e murgjërve dhe artizanëve që mbushnin kafenetë e kapelat; kjo
shtresë e bekuar plebeje, e pisët, por e fuqishme, që endej mes
shenjtërisë e stallës së demave dhe që mishëronte më së miri veset
dhe pasionet e veta.
Ky spektakël ia cingëriste nervat Afonso da Maias dhe shpesh,
mbrëmjeve të qeta mes miqsh, teksa mbante në prehër të voglin,
e shprehte me gjithë shpirt zemërimin e tij. Natyrisht, në këtë
moshë nuk dëshironte si dikur, në rininë e hershme, një Lisbonë
të Kantonit dhe Mucio Scevolasit. Tashmë e pranonte edhe luftën
që bënte aristokracia për të ruajtur privilegjet e veta historike,
vetëm se kërkonte prej saj të ishte e matur dhe me dinjitet, ashtu
si aristokracia angleze (të cilën, falë dashurisë për Anglinë, e
idealizonte), pra, të merrte në dorë drejtimin moral të shoqërisë,
të reformonte zakonet, të frymëzonte letërsinë, të jetonte në luks,
por me shije, duke u bërë shembull i idealeve të larta dhe sjelljeve
fisnike... Ajo që nuk honepste, ishte pikërisht bota aristokratike
portugeze e Pallatit Kelluzh, e cila i dukej shtazarake, e neveritshme.
Këto fjalë, sapo dolën nga goja e tij, mbërritën në Pallatin
mbretëror dhe, me t’u mbledhur trupa gjyqësore, policia ia behu
në Benfika, në kërkim “të dokumenteve apo sendeve të fshehta”.
Afonso da Maia, me djalin në krahë e gruan pranë që
drithëronte e tëra, qëndroi gojëkyçur dhe stoik gjatë kontrollit që i
bënë nëpër sirtarë e dollapë, madje nuk nxori zë edhe kur ato duar
të pista kontrolluan dyshekun e shtratit të tij. Gjyqtari i ngarkuar
nuk gjeti asgjë për ta akuzuar dhe në fund, pranoi të pinte edhe
një gotë verë, teksa nëpërdhëmbi se kishin ardhur kohë të vështira.
Që prej atij mëngjesi, dritaret e vilës nuk u hapën më, madje as
porta nga dilte zonja me karrocën e saj; s’kaluan veçse disa javë
dhe Afonso da Maia së bashku me djalin dhe gruan emigruan në
Angli.