Page 14 - Saga e familjes Maia
P. 14
12 Saga e familjes Maia
kalorësiak “Don Bonifacio i Kalatravës”, ndërsa tani është një
trashaluq e gjumash që ka hyrë përfundimisht në fazën e nderimit,
andaj dhe e thërrasin Reverend Bonifacio.
Jeta e Afonsos nuk ka rrjedhur gjithmonë e qetë, si një lumë
i pastër e i gjerë gjatë verës. Plaku, sytë e të cilit tani mbushen
me një dritë dhembshurie edhe për trëndafilat, dhe që tymos
pranë zjarrit të preferuarin e tij Guisot, sipas të atit, ka qenë
dikur një prej jakobinëve më të flaktë të Portugalisë. Gjithsesi,
tërë ai vrull revolucionar i të gjorit djalë nuk shkonte më tej
se leximi i Rusoit, Volterit, Helvetiusit dhe “Enciklopedisë”,
teksa derdhte lotët çurg për Kushtetutën, veshur me një kapelë
të stilit liberal dhe kravatë të gjerë blu, kur recitonte në lozhat
masonike Odet e tmerrshme për Arkitektin Suprem të Universit.
Mjaftonte vetëm kaq që të atit t’i hipnin nervat keq. Kaetano
da Maia ishte një portugez besnik, i gardës së vjetër, që bënte
kryqin sapo përmendej emri i Robespierit dhe që në apatinë e
tij prej fisniku të bekuar, ruante të gjallë vetëm një ndjenjë, atë
të urrejtjes dhe llahtarisë ndaj jakobinëve, të cilëve u atribuonte
të gjitha të këqijat e kësaj bote që binin si mbi atdheun, ashtu
edhe mbi familjen e tij, madje qysh nga humbja e disa kolonive
portugeze e deri te gjërat fare të vogla. Për t’i shkulur nga vendi
i tij jakobinët, ai ia kishte falur zemrën pretendentit të fronit,
Don Migelit, të cilin e quante Mesia të zotin dhe misionarin e
stabilizimit të regjimit. Ndaj edhe fakti që i kish rënë për hise një
bir jakobin, i dukej një mallkim që mund të krahasohej vetëm
me historinë e Jobit në Bibël.
Në fillim, me shpresën se i biri mund të korrigjohej, e la
mënjanë përdorimin e metodave të ashpra dhe u mjaftua duke e
thirrur me sarkazëm “qytetar”. Por kur mësoi se ai, trashëgimtari i
tij, në mes të një turme, natën e një feste popullore, kishte goditur
me gurë xhamat e zyrës së përfaqësuesit të Austrisë, i dërguar nga
Aleanca e Shenjtë, e quajti “Marat” dhe shfreu mbi të gjithë dufin
e tij. Do kishte dashur edhe ta qëllonte me atë bastunin e vet
indian, siç bënte një baba i mirë portugez, por nuk mundi, për
shkak të sëmundjes së rëndë që e kishte mbërthyer në poltronë; pa
ç’pa, vendosi ta dëbonte nga shtëpia pa i dhënë as bekimin dhe as
të ardhura familjare, si renegat e bastard, sepse ai gurëhedhës nuk
mund të ishte gjaku i tij.