Page 10 - Kam shumë për të thënë
P. 10
8 Kam shumë për të thënë
bërë bashkë, për t’u siguruar se që prej atij çasti e në vijim, ne do
të ishim bashkë, në çdo moment, sepse ne, qoftë edhe me mendje,
do të bisedonim pareshtur me njëri-tjetrin, do të shkëmbenim
mendime, do të njihnim dëshirat e njëri-tjetrit. Kur mora ftesën
nga miqtë tanë të përbashkët, pyeta veten nëse pas saj fshiheshe
ti dhe, ndonëse atë dyshim e flaka tutje si një iluzion të kotë, ai
nuk m’u nda, madje më bëri ta pranoja ftesën i shtyrë nga një
kureshtje e fshehtë. Sidoqoftë, më vonë ti e pranove hapur, me
një vendosmëri të pashpjegueshme, se ma kishe vënë syrin dhe se
strategjia jote, pavarësisht nga ndonjë pengesë e vogël aty-këtu,
shkoi plotësisht ashtu siç e kishe planifikuar: diçka që ti e kishe
konsideruar si një nga arritjet me të mëdha të jetës sate, të paktën
deri në çastin që më tregove për të, nisur nga retrospektiva.
Gjatë pushimeve qëndruam në një anije të ankoruar në një
gji të ishullit të Kretës, e cila u përkiste familjarëve të miqve tanë
të përbashkët. Kur grupi ynë, i përbërë nga një çift dhe dy të
njohur, që gjatë udhëtimit u lidhën me njëri-tjetrin, zbriti nga
avioni, pashë se nuk më kishin ardhur bagazhet. Po rrija dhe po
prisja të dilte çanta ime.
Rripat e zinj prej gome nuk po ndaleshin, por prapë
bosh – nuk po dilte asgjë. Megjithatë, teksa nuk po guxoja
ta konsideroja përfundimisht të humbur çantën time, ti m’u
afrove duke qeshur dhe më the se për disa ditë, mund të
përdorja rrobat e tua.
Anija jonë qëndroi thuajse gjatë gjithë kohës në vendin e
ankorimit – vetëm një herë lundruam gjysmë dite pa ndonjë
destinacion të veçantë, thjesht sa për të vënë në punë motorin
e saj. Pjesën tjetër të kohës, anija lëkundej mbi dallgë, por pa u
zhvendosur më shumë se disa centimetra majtas, djathtas, para,
prapa, ndërkohë që nuk qëndronte më shumë se disa sekonda pa
lëvizur. Ditë e natë ne përkundeshim butë, si foshnja në djep për
ta vënë në gjumë.

